Dy muaj para fillimit të Kampionatit Botëror Rusi 2018, përfaqësuesja e Japonisë ka shkarkuar seleksionuesin e tyre Vahid Halilhodxhiq, ndërsa në vend të tij kanë emëruar veteranin japonez, Akira Nishino. Ky vendim erdhi nga drejtuesit e Federatës japoneze që vendosën të ndërpresin bashkëpunimin me 65 vjeçarin, pas atyre dy rezultateve jo të mira në ndeshjet miqësore, me Malin dhe Ukraninën.
Tekniku boshnjak në stolin e Japonisë erdhi në mars të vitit 2015-të, pasi drejtoi Algjerinë deri në 1/8 e finales së Botërorit të Brazilit. Kujtojmë se Japonia në fazën e grupeve të Botërorit të Rusisë që do të nisë më 14 qershor, do të përballet me Kolumbinë, Poloninë dhe Senegalin.