Shkëndijën e Tetovës të mërkurën e pret ndeshja e kthimit në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë me Renovën. “Kuqezinjët” po vazhdojnë, duke punuar me impenjim maksimal, ndërsa lajm i mirë vjen për kapitenin e Shkëndijës, Ferhan Hasanin, që ka nisur të stërvitet me ekipin. Stafi mjekësor më në fund ka dhënë leje që Buba të ushtrojë me bashkëlojtarët pas pauzës prej një muaji shkaku i lëndimit.
I rikuperuar plotësisht është mesfushori Armend Alimi, ndërsa të drejtë loje fiton edhe Besart Ibraimi, i cili mungoi në fundjavë shkaku i skualifikimit pas pesë kartonave të verdhë. Takimi Renova-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë, duke nisur nga ora 16:00. Kujtojmë se ndeshja e parë e gjysmëfinales e luajtur ndërmjet këtyre dy skuadrave është mbyllur me barazim 1:1.