Nijas Lena ka gjetur skuadrën e tij të re. Strugani i cili së fundmi ishte pjesëe Teutës në Superligën shqiptare, karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në Gjeorgji, te skuadra e Ligës së Dytë, FC Telavi, njofton “infOSport.mk”. Ai me këtë skuadër ka nënshkruar kontratë deri në fund të qershorit, me mundësi vazhdimi deri në fund të vitit, ndërsa tashmë ka regjistruar edhe dy ndeshje me skuadrën e re.
“Këtë transferë e kam realizuar në bashkëpunim me menaxherin Luan Kadriun, të cilin e falënderojë shumë, pasi për mua është shumë e rëndësishme që këtë pjesë të sezonit të jem aktiv, pasi unë nuk mund të luaja në Shqipëri, apo edhe Maqedoni deri ne fund të këtij sezoni. Sa i përket kontratës me FC Telavi, jam shumë i kënaqur me atë që më kanë ofruar drejtuesit e këtij klubi, të cilët më kanë befasuar me mikpritjen që më kanë bërë” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Nijas Lena, i cili aktivizimin e tij te FC Telavi e sheh si mundësi që të rikthehet sërish të luaj në futbollin tonë vendor, apo edhe në Shqipëri.
“Dua të kthehem në Shqipëri ose Maqedoni, të luaj në verë, mirëpo normalisht vetëm nëse më vjen ndonjë ofertë serioze” – përfundoi Lena.
Lena së fundmi ishte pjesë e Teutës nga Superliga shqiptare, nga e cila skuadër u nda ende pa nisur merkatoja e janarit, mirëpo gaboi në zgjedhjen e bërë, pasi nuk e kishte llogaritur se kishte luajtur me dy ekipe brenda një sezoni, Kukësin në Ligën e Kampionëve dhe Teutën në kampionat. Kështu mundësinë e vetme për të luajtur, Lena e gjeti te skuadra e FC Telavi, për të cilën skuadër veçmë ka zhvilluar dy ndeshje.
Strugani me fanellën e skuadrës së tij të re debutoi në ndeshjen e 30 marsit kundër WIT Georgia, kur si vendas kishin pësuar disfatë minimale 1:0, ndërsa gjithashtu ishte pjesë edhe e fitores në ndeshjen e 4 prillit në transfertën kundër Shukura. Që në të dyja ndeshjet Lena ishte titullarë i padiskutueshëm, duke luajtur për gjatë 90 minutave.