Skuadra e Shkupit kthehet në stadiumin e Çairit, ku nuk ka luajtur që nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar shkaku i suspendimit të terrenit nga ana e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e trajnerit Zekirja Ramadani të shtunën në kuadër të javës së 26-të do të mirëpret Pelisterin, ish skuadrën e sulmuesit më efikas të “bardhekaltërve” nga Çairi gjatë stinorit pranveror, Bazhe Ilijoski, i cili në një prononcim për kanalin zyrtarë të klubit dha prononcimin e tij lidhur me këtë ndeshje.
Sipas tij FC Shkupi nuk ka hapësirë më për të bërë gabime, ashtu që nga minuta e parë duhet të sulmojnë dhe të sigurojnë fitoren që sa më parë.
“Nuk kemi më hapësirë për të bërë gabime, mendoj se na vjen një kundërshtarë të cilin nëse nuk e fitojmë, automatikisht biem në zonën, mos të them për mbijetesë, kështu që nuk ka kalkulime pasi që duhet të fitojmë patjetër në këtë ndeshje. Forcën tonë e shoh te publiku, që së bashku me “Shvercerat” të cilët dihet se janë forca lëvizëse e këtij Shkupi dhe mezi kemi pritur që të kthehemi në fushën tonë dhe të luajmë në Çair. Besoj se stadiumi do të jetë i stërmbushur, mos të them deri në ulësen e fundit, të jenë futbollisti ynë i dymbëdhjetë dhe normalisht të na ndihmojnë që të nxjerrim rezultat pozitiv, fitore” – është shprehur sulmuesi Bazhe Ilijoski.
Për ndeshjen e nesërme kryesia e klubit nga Çairi ka vendosur që të gjithë ata që do të blejnë biletën hyrëse (100 denarë), të ju bëjë dhuratë nga një shall të klubit, e që do të jetë edhe një pasqyrë e mirë një një stadium të stërmbushur.
Ndeshja FC Shkupi-Pelisteri starton në ora 16:00, ndërsa do të drejtohet nga arbitri Stojanov nga Shtipi.