Bojku flet para ndeshjes kampionale me Renovën

Skuadra e Shkëndijës ka përfunduar përgatitjet për ndeshjen e javës së 26-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, kur të shtunën në cilësinë e vendasit përballet me Renovën.

Shkëndija kërkon të vazhdojë ecurinë pozitive në kampionat, për të shkurtuar sa më shpejtë rrugën drejt sigurimit të titullit të kampionit, ndërsa në të njëjtën kohë ekipi fokusohet të ruajë formën para ndeshjes së kthimit të gjysmëfinales së Kupës të mërkurën e ardhshme (11 prill) kundër të njejtit rival.

“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, jemi 16-të pikë para Vardarit por ne këtë e heqim anash, do ta marrim ndeshjen shumë seriozisht dhe do të japim më të mirën në fushë për të fituar. Ndeshja e së shtunës gjithashtu duhet shfrytëzuar për ta pritur sa më të gatshëm takimin e kthimit të gjysmëfinales së Kupës të mërkurën me të njëjtin kundërshtar”, – është shprehur mesfushori Besmir Bojku për faqen zyrtare të klubit “kuq e zi”.

Përballja Shkëndija-Renova luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në ora 16:00.

 

Leave a Reply