Pas lajmit për rinovimin e kontratës së trajnerit Xhenaro Gatuzo, tashmë në kampin milanist ka ardhur një lajm i keq i cili ka të bëjë me talentin kuqezi, Andrea Konti. Mbrojtësi 24-vjeçar, u dëmtua në stërvitje vetëm pak ditë më parë, duke marrë një goditje në këmbën e operuar dhe pas vizitave mjekësore, është vërejtur se dëmtimi ka një shkallë të rëndë.
Për këtë arsye, mbrojtësi italian do të detyrohet të qëndrojë larg fushave të blerta për 5 muaj dhe rikthimi i tij mendohet të jetë në fillimin e sezonit 2018-2019.
Në lidhje me këtë dëmtim, ka folur edhe vetë mbrojtësi, i cili në një prononcim për mediat italiane shprehet se ndihet i qetë për sa i përket rikthimit, pasi ka besim se sezoni tjetër do të flasë për të.
“Mund të them se jam i qetë. Fatkeqësisht këto gjëra ndodhin në futboll dhe tani jam i përqendruar vetëm te operacioni dh shpresoj të mbarojë me kaq. Besoj se viti tjetër do të jetë viti im dhe do të kem mundësi të jap gjithçka që nuk arrita të jepja këtë sezon. Kombëtarja është një ndër objektivat e mi, por si qëllim kryesor kam rikthimin në shtator dhe të jap maksimumin pas rikthimit”, u shpreh Andrea Konti.
Ky është dëmtimi i dytë që pëson Konti brenda një sezoni, ndërkohë që në fillim të kampionatit, ai u dëmtua duke qëndruar jashtë për 6 muaj. Pasi e kaloi dëmtimin e parë, 24-vjeçari u rikthye në stërvitje me grupin dhe një goditje e pësuar në stërvitje, e bëri që të humbasë sezonin duke munguar dhe 5 muaj të tjerë. (vipsport)