Portieri i Egjiptit, Essam el-Hadary, që në moshën 45-vjeçare do të bëhet më i vjetri që ka luajtur në Kupën e Botës në futboll, thotë se shpreson që storia e tij të inspirojë të tjerët që të ndjekin ëndrrat e tyre.
El-Hadary është i vendosur që të jetë pjesë e Kombëtares së Egjiptit për Botërorin 2018 në Rusi, ku shpreson të bëjë debutimin e vetë në Kupën e Botës.
“Unë jam shumë i lumtur që të luaj në Kupën e Botës dhe ky është mesazhi për të gjithë futbollistët dhe të tjerët nëpër botë, që duhet të besoni në ëndrrat tuaja dhe të luftoni për t’i realizuar ato”, thotë El-Hadary. “Unë jam 45-vjeçar, por për mua ky është vetëm numër në letër. Unë stërvitem fort çdo ditë, nuk e di se çfarë do të thotë fjala e pamundur. Do të luftoj deri te Kupa e Botës për të pasur mundësinë që të luaj dhe të mbroj ngjyrat e vendit tim”.
Portieri i Kolumbisë, Faryd Mondragon, i cili një kohë të gjatë mbronte ngjyrat e gjigandëve turq të Galatasarajit aktualisht mban epitetin e portierit më të vjetër, kur në Botërorin e vitit 2014-të në Brazil ishte paraqitur ndaj Japonisë në moshën 43 vjet e tre ditë.