Sezoni aktual ka arritur në një pikë deçizive për skuadrën kryesuese në elitën e futbollit vendor, Shkëndijën. Tanimë ka nisur muaji prill, një muaj ky shumë i ngjeshur, gjatë të cilit kuqezinjtë do të garojnë në dy fronte: kampionat dhe Kupën e Maqedonisë.
Në harkun kohor prej vetëm 29-të ditëve, skuadra do të zhvillojë tetë përballje, prej të cilave e para ishte të dielën në transfertën kampionale me Skopjen (barazim 0:0) në Shkup. Duke nisur nga e shtuna e ardhshme (7 prill), deri më 29 prill brenda 23 ditëve Shkëndija para vetes ka 7 përballje të rëndësishme. Seria e ngjeshur nis të shtunën me takimin e xhiros së 26-të të LPFM-së kur kuqezinjtë përballen me Renovën. Katër ditë më vonë (e mërkurë-11 prill) pason dueli me të njejtin kundërshtar, kësaj rradhe në kuadër të takimit të kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Maqedonisë (ndeshja e parë përfundoi baraz 1:1).
Vijojnë ndeshjet kampionale çdo fundjavë-mesjavë kur fillimisht më 15 prill Shkëndija luan në Manastir me Pelisterin (e dielë-xhiroja e 27-të), ndërsa më 18 prill në Shkup është caktuar sfida kundër Vardarit (e mërkurë-xhiroja e 28-të). 22 prilli sjell takimin me Shkupin në Tetovë (e dielë-xhiroja e 29-të), para se më 25 prill të vijë transferta me Akademia Pandevin (e mërkurë-xhiroja e 30-të). Seria e ngjeshur gjatë muajit prill mbyllet më 29 prill (e dielë) me sfidën e xhiros së 31-të, Pobeda-Shkëndija.
Këto 23 ditë rraskapitëse do të jenë të rëndësisë kapitale për të përcaktuar sezonin 2017/2018 të Shkëndijës, kur brenda kësaj periudhe mund të sigurohet titulli i kampionit, ndërsa gjithashtu kërkohet edhe kualifikimi në finale të Kupës së Maqedonisë, që do të ishte hera e tretë me rradhë, pas finaleve të sezonit 2015/2016 kur me rezultatin 2:0 mundi Rabotniçkin dhe finalen e vitit të kaluar, kur në Strumicë u mposht nga Pelisteri pas ruletit të penaltive.