Shkupi me mbrojtjen më të dobët në stinorin pranveror

Të dielën në futbollin vendor në program ishin ndeshjet e javës së 25-të, apo të javës së 7-të në kuadër të stinorit pranveror, që startoi me 14 shkurt. Në këto 7 javë, Shkëndija po dëshmon se është një hap para skuadrave të tjera, duke regjistruar 5 fitore dhe dy barazime, me një gol averazh prej 11:1, njofton “infOSport.mk”.

Surprizë e këndshme e këtij gjysmëstinori pa dyshim se është fenerxhiu, Skopje, që në 7 javët pranverore ka regjistruar 2 fitore dhe 5 barazime, duke ringjallur shpresat për mbijetesë.

Pikërisht Skopje në ndeshjen e fundit ndali Shkëndijën në një barazim pa gola. Ishte kjo ndeshja e 6-të me rradhë në kuadër të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë që Shkëndija nuk pranon gol, duke konfirmuar se ka mbrojtjen më të mirë të momentit, teksa në anën tjetër mbrojtja e FC Shkupit në këto 7 javë të stinorit pranveror rezulton të jetë mbrojtja më e dobët.

Skuadra nga Çairi në 7 ndeshje ka pranuar 15 gola, apo më shumë se 2 gola për ndeshje, duke vënë në pikëpyetje synimin e drejtuesve të rinj, daljen në Europë. Shkupi gjatë pjesës së dytë të sezonit ka regjistruar vetëm një fitore, në tre ndeshje ka barazuar, ndërsa në po aq ndeshje ka pësuar disfata, përfshirë këtu edhe disfatën e fundit kundër Renovës, transmeton “infOSport.mk”.

Aktualisht Shkupi me 29 pikë mban pozitën e 6-të, dhe është 10 pikë larg vendit të tretë që mbahet nga Sileksi, dhe që është ndër skuadrat më serioze për të siguruar një vend për në ndeshjet e Liga Europa.

Shkupi bashkë edhe me Akademia Pandevin, Rabotniçkin, por edhe Renovën do të luftojnë për atë pozitë të katërt, mirëpo gjithnjë duke shpresuar se në fund do të jetë Shkëndija ajo që do të triumfojë në Kupën e Maqedonisë. Skuadra tetovare në mesjavë do të zhvillojë ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales kundër Renovës, me shpresë se do të arrijë një fitore, pasi në ndeshjen e parë si vendas “kuqezinjtë” e Qatip Osmanit kishin barazuar me rezultatin 1:1.

Leave a Reply