Pranvera ringjallë Skopjen, në vetëm 7 ndeshje siguron më shumë pikë se gjatë gjysmësezonit të parë

Skopje në stinorin pranveror po paraqitet me një fytyrë krejtësisht ndryshe. Skuadra e cila gjysmësezonin e parë e mbylli në pozitën e fundit, duke grumbulluar vetëm 10 pikë në 18 ndeshje, stinorin pranveror e ka nisur vrrullshëm, ku në 7 ndeshjet e para ka grumbulluar 11 pikë, duke mos njohur asnjë disfatë, njofton “infOSport.mk”.

Skopje ka arritur 2 fitore dhe 5 barazime, përfshirë këtu edhe barazimin e fundit pa gola ndaj Shkëndijës. Pikërisht ndaj “kuqezinjëve” skuadra nga lagjia e Hekuranës dëshmoi se rezultatet paraprake nuk janë të rastësishme, për më tepër pasi ndali serinë prej 5 fitoreve të njëpasnjëshme të Shkëndijës.

Pas 25 xhirove Skopje ndodhet edhe më tej në pozitën e fundit me 21 pikë, vetëm dy më pak se Pelisteri i vendit të parafundit, ndërkohë 4 pikë është dallimi me Pobedën e vendit të 8-të, pozitë kjo që siguron ndeshjen e balotazhit, transmeton “infOSport.mk”.

Pikërisht ndeshjen e rradhës Skopje do ta zhvillojë si mysafir kundër Pobedës, ku me fitore eventuale do të mund të lëshonte pozitën e fundit, duke pasur parasysh se Pelisteri do të ketë një transfertë të vështirë ndaj FC Shkupit në Çair.

Leave a Reply