Me golin e shënuar në minutën e 84-të kundër Kristal Pallas, Mohamed Sallah, jo vetëm që i dha fitoren skuadrës së Liverpullit, por egjiptiani arriti që të barazojë dy rekorde në Premierligën angleze.
Ky gol ishte i 29-i për të në 31 ndeshje në Premierligë, duke barazuar në këtë mënyrë rekordin e Kristiano Ronaldos nga sezoni 2007/08 dhe Robin van Persit nga sezoni 2012/13, kur kishin shënuar nga 29 gola me fanellën e Mançester Junajtedit në harkun e 38 xhirove.
Sallah ka edhe gjashtë ndeshje në dispozicion për të thyer rekordin e tyre dhe njëkohësisht atë të Endrju Koll, i cili në sezonin 1993/94 me fanellën e Njukasëll Junajtedit kishte shënuar 34 gola, mirëpo në një kampionat që atëherë numëronte 40 ndeshje. Njëherit Endrju Koll mban edhe rekordin si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në harkun e një sezoni në Premierligë.
Ndërkohë, Sallah me golin e shënuar ndaj Kristal Pallas barazoi rekordin e Didie Drogba me 29 gola për Çelzin në sezonin 2009/2010, si futbollisti afrikan që ka shënuar më shumë gola në një sezon në kampionatin anglez.
Deri në fund të edicionit të sivjetshëm në Premierligë, Sallah me Liverpullin e tij do të luaj ndeshjet edhe kundër Everton, Burnemaut, Uest Bromuiç Albion, Stouk Siti, Çelzi dhe Brajton.