Gostivari ka shënuar një fitore të madhe në ndeshjen e javës së 18-të në Ligën e Dytë – Perëndim, duke mundur si vendas ekipin e EuroMilkut, njofton “infOSport.mk”. Skuadra e trajnerit Mensur Jakupi shënoi fitore me rezultatin 3:2, fitore kjo që e ngjiti Gostivarin në pozitën e parë me 34 pikë.
Ilirid Ademi vetëm pas dy minutave lojë kaloi në epërsi Gostivarin, teksa 20 minuta më vonë ishte Hristijan Grozdanoski ai i cili ngriti epërsinë e vendasve në 2:0. Shpresat e mysafirëve për një çast i riktheu Adrian Çavolli me golin e realizuar në minutën e 24-të, mirëpo mu në momentin e duhur në skenë te Gostivari doli sërish Ilirid Ademi, që në minutën e 54-të shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Gostivarin.
Deri në fund të takimit mysafirët me anë të Adrian Çavollit shënuan edhe një gol tjetër, mirëpo ishte kjo gjithçka që mundën të bëjnë shkupjanët në këtë ndeshje, e cila në fund u mbyll me fitoren e merituar të gostivarasve, që tashmë të vetëm udhëheqin renditjen tabelare, duke lënë pas vetes Makedonija Gjorçe Petrovin, që falë golit të Bobi Bozhinovskit në minutën e 83-të mundën Lokomotivën në derbin lokal shkupjan.
Struga Trim Lum ishte shumë bindës ndaj Zajazit duke shënuar fitore 5:1, Labunishta me rezultatin 1:3 në transfertë shënoi fitore ndaj Novacit, ku dy gola shënoi futbollisti shqiptarë, Nexhmi Rexhepi, teksa Vëllazërimi i Xhengis Rexhepit dështoi në transfertën në Tetovë, duke u dorëzuar përballë Teteksit, që në fund shënoi fitore me rezultatin 3:0.
LDFM – Perëndim, Java XVIII | ||
KF Gostivari | 3 – 2 | EuroMilku |
Lokomotiva | 0 – 1 | Makedonija Gj.P |
Novaci | 1 – 3 | Labunishta |
Struga Trim & Lum | 5 – 1 | Zajazi |
Teteksi | 3 – 0 | Vëllazërimi |