Roma do të udhëtojë nesër në Bologna, ku do të përballet me vendasit në mesditë, në takimin e vlefshëm për javën e 30 të Serisë A. Trajneri i verdhekuqve, Eusebio Di Françesko pranon se ka filluar që tani të mendojë për sfidën me Barcelonën.
“Normalisht që nesër është një transfertë shumë e vështirë, sidomos në lidhje me garën për një vend në zonën Champions. Duam të marrim maksimumin në këtë transfertë, për të përgatitur më mirë sfidën ndaj Barçës. Normalisht që për atë sfidë kam menduar sapo u hodh shorti, pasi kundërshtarë të tillë të lënë pa gjumë. Gjithsesi kam besim se do të bëjmë një paraqitje të mirë”, tha Di Françesko.
Trajneri i verdhekuqve pranoi gjithashtu se disa prej titullarëve do të qëndrojnë pushim nesër, për t’i pasur të freskët në sfidën me katalanët.
“Dzeko besoj se do ta nisë nga stoli, pasi dua t’i jap mundësinë sulmuesit tjetër, Schick që të shprehë aftësitë e tij në fushë. Natyrisht që do të mendojmë edhe për Barcelonën, kur të bëjmë formacionin, gjithsesi kam ende disa dyshime”, u shpreh trajneri i Romës.