Në Los Angeles, midis Oqeanit Paqësor dhe Hollivudit, Zlatan Ibrahimoviç do të vazhdojë të luajë “filmin” e tij në futboll. “Unë jam i lumtur për të luajtur në ekipin më të mirë në Amerikë. Ndihem mirë.
Ky është vendi më i mirë për mua. Unë kam shpresa të mëdha, kam shumë për të dhënë dhe shpresoj ta ndaj lumturinë e fitoreve. Unë kam nevojë për të luajtur”, – pranoi sulmuesi suedez, pasi nënshkrimi i tij me LA Galaxy u bë zyrtar. Në moshën 36-vjeçare, Zlatan është në MLS, për të vazhduar aventurën e tij me topin.
SHBA do të jetë vendi i nëntë dhe klubi i shtatë, ku ai stacionohet në një karrierë, që filloi në vendlindjen e tij, Malmoe të Suedisë, në vitin 1999, për të vijuar në Holandë, Itali, Spanjë, Francë, Angli dhe tani në Shtetet e Bashkuara. Me 730 ndeshje dhe 421 gola mbi supe, Ibrahimoviç do të vazhdojë rrugën e tij në MLS, në kërkim të më shumë shifrave të tilla. Sulmuesi suedez ka fituar 31 tituj në karrierën e tij të gjatë, në mes të Malmoe, Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan, PSG dhe Manchester United. Vetëm te Malmoe dhe Juventusi (dy tituj me bardhezinjtë, 2005 dhe 2006, janë anuluar nga “Calciopoli”) mbeti pa trofe. Në pjesën tjetër të skuadrave, ku ka luajtur, e ka bërë këtë gjë rregullisht.
Ai nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve, por është lojtari i vetëm, i cili ka luajtur për shtatë ekipe të ndryshme në këtë kompeticion, me Carew dhe Mutu, një nga tre lojtarët, të cilët kanë veshur fanellën e 7 klubeve në Kupat e Europës. Askush nuk ka fituar më shumë tituj (13) në katër vende të ndryshme (Eredivisie, Serie A, La Liga dhe Ligue 1). Zlatan është një lojtar i shkëlqyeshëm i sfidave të nxehta mes skuadrave të të njëjtit qytet. Ai ka shënuar në Derbin e Madoninës mes Milanit dhe Interit, në “El Classico” (mes Real Madridit dhe Barcelonës), në derbin e Manchesterit (United-City), në “Le Classique” të Francës (PSG-Marseille), në “de Klassieker” e Holandës (Ajax-Feyenoord) dhe në klasiken angleze, mes Liverpool dhe Manchester United.
Zlatan është shënuesi më i mirë në historinë e kombëtares suedeze (62 gola në 116 ndeshje). Ai ka qenë edhe golashënuesi më i mirë i Seria A (dy herë) dhe i Ligue 1 (tri herë). Në 19 sezonet që ai ka qenë në elitë, vetëm në tre prej tyre nuk e ka tejkaluar kuotën e 10 golave. Një “kafshë” konkurruese, plot cilësi dhe temperament, i cili kërkoi që “Kulla Eifel” të ripërtërihej për PSG-në, që u ndesh me Guardiolën në Barcelonë dhe ishte idhulli i Interit dhe Milanit, në pjesë të barabarta. Në përvojën e tij të fundit te Manchester United, pavarësisht lëndimit të rëndë në gju, ai la një shenjë në Premier League me 29 gola, duke qenë një “djall i kuq” më shumë.
MLS do të jetë sfida e parafundit e Ibrahimovic. “Është një vend tjetër, por unë jam i njëjti Zlatan”, – përmblodhi ai. Sulmuesi suedez dëshiron më shumë. Ai nuk ka luajtur që nga 26 dhjetori (Manchester United-Burnley), por është i etur t’i rikthehet fushës së blertë. Pas triumfit në katër nga pesë ligat kryesore europiane, fitorja e titullit në MLS është qëllimi i tij. Shfaqja për të vazhdon…
Numrat e karrierës së Ibrahimoviç
1.Malmoe (Suedi) 1999-2001: 47 ndeshje, 18 gola
2. Ajax (Holandë) 2001-2005: 110 ndeshje, 48 gola, 3 tituj, një Kupë dhe një Superkupë Holande
3.Juventusi (Itali) 2004-2005: 92 ndeshje, 26 gola
4.Interi (Itali) 2006-2009: 117 ndeshje, 66 gola, 3 tituj dhe 2 Superkupa Italiane.
5.Barcelona (Spanjë) 2009-2010: 46 ndeshje, 22 gola, një titull, dy Superkupa Spanjolle, një Superkupë Europiane dhe një Botëror për Klubet
6.Milani (Itali) 2010-2012: 85 ndeshje, 56 gola, një titull dhe një Superkupë Italiane
7.PSG (Francë) 2012-2016: 180 ndeshje, 156 gola, 4 tituj, 2 Kupa, 3 Kupa të Ligës dhe 3 Superkupa Franceze
8.Manchester United (Angli) 2016-2018: 53 ndeshje, 29 gola, një Kupë Lige, një Ligë Europiane dhe një “Community Shield”