Kombëtarja e Shqipërisë sot në “Elbasan Arena” do të zhvillojë ndeshjen e parë miqësore për vitin 2018-të. Trajneri italian, Kristian Panuçi, me gjithë përpjekjet e tij nuk ka mundur të mbajë shumë sekrete lidhur me formacionin, me të cilin do të zbres në fushë.
Ashtu siç edhe konfirmoi në konferencën për shtyp, italiani ka bërë dy zgjedhjet që kishte në pikëpyetje, e që kishin të bëjnë me portën dhe futbollistin i cili do të luaj përpara mbrojtjes. Kësisoj pasi Etrit Berisha kishte probleme gjatë javës, në portë është i sigurt vendi për Tomas Strakoshën, teksa rolin e futbollistit lidhës mes mbrojtjes dhe mesfushës do ta luaj, Ylber Ramadani, i cili në këtë pozitë do të zëvendësojë Sabien Lilajn e dëmtuar.
Pjesa tjetër skuadrës është zbuluar gjatë stërvitjes së fundit: kështu Arlind Ajeti ka mbajtur një jelek të gjelbër gjatë kësaj seance, duke treguar se ka fituar balotazhin me Gjimshitin për një vend titullari në qendër të mbrojtjes përkrah Mavrajt.
Në të djathtë nuk ka dyshime për Elseid Hysaj, ndërsa në të majtë hapësirë do të ketë Naser Aliji.
Mesfusha është reparti që ka më pak mundësi manovrimi, duke qenë se edhe një pjesë e futbollistëve nuk kanë gëzuar formë të mirë fizike. Kështu së bashku me Ramadanin nga minuta e parë pritet të jenë në fushë Taulant Xhaka e Kamer Qaka.
Për sulmin Panuçi ka më shumë siguri, me Armando Sadikun që preferohet përpara Bekim Balajt dhe Sokol Cikalleshit, ndërsa në të dy krahët konfirmohen me Eros Grezdën dhe kapitenin e ri, Odise Roshi.
Takimi mes Shqipërisë dhe Norvegjisë starton në ora 19:00.