Trajneri i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi e ka gjetur zëvendësuesin e Sabien Lilajt shumë shpejtë, duke grumbulluar në “Kombëtaren A” kapitenin e shpresave, Keidi Baren.
Mesfushori i Atletiko Madridit u paraqit mjaft mirë në ndeshjen përballë Sllovakisë U-21, pavarësisht se në fund ekipi “kuq e zi” u mund me shifrat 2:3. Në atë ndeshje ishte Rej Manaj që realizoi të dy golat për shpresat “kuq e zi”, ndërsa vlen të përmendet goli i tij i dytë, në të cilin rolin më të madh luajti kumanovari, Taulant Seferi, i cili pas një super depërtimi nga e djathta, mjaft mirë gjeti në zonën kundërshtare sulmuesin e Granadas nga Segunda Division, që nuk e kishte të vështirë të shënojë në rrjetën e sllovakëve.
Ndryshe sa i përket Sabien Lilaj, ky i fundit u dëmtua gjatë një stërvitjeje me pjesën tjetër të Kombëtares shqiptare që tanimë disa ditë po përgatitet për miqësoren e së hënës kundër Norvegjisë, ndeshje kjo që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.