Kampionja e Europës, Portugalia me një përmbysje dramatike ka mundur Egjiptin me rezultatin 2:1 në miqësoren e zhvilluar në Cyrih, njofton “infOSport.mk”.
Kjo ndeshje kaloi në shenjën e dy yjeve të futbollit botëror, Kristiano Ronaldo dhe Mohamed Sallah, që njëherit shënuan edhe tre golat e këtij takimi.
Futbollisti i Liverpull, Mohamed Sallah, i cili po kalon një formë të shkëlqyeshme në Premierligën angleze shënoi golin e parë të takimit në minutën e 57-të, ndërsa kur të gjithë menduan se kjo ndeshje do të mbyllet me fitore minimale të egjiptianëve, ashtu nuk mendoi futbollisti më i mirë në Botë për vitin 2017-të, Kristiano Ronaldo, i cili me dy gola të shënuar pas minutës së 90-të, arriti që të bëjë kthesë në rezultat dhe ti sigurojë fitoren skuadrës “luzitane”.
Ronaldo fillimisht në minutën e 92-të barazoi shifrat në 1:1, teksa në minutën e 94-të shënoi për rezultat përfundimtarë, Portugalia 2, Egjipti 1, shkruan “infOSport.mk”.
Falë këtyre dy golave Ronaldo arriti në kuotën e 81 golave të shënuar me Portugalinë, duke arritur në këtë mënyrë në vendin e tretë në listën e përjetshme të golashënuesve kur janë në pyetje ekipet kombëtare. Para yllit të Realit të Madridit janë vetëm Ferenc Pushkash (84 gola) dhe Ali Daei (109 gola).