Futbollisti kumanovar Naser Aliji sot është prezantuar para mediave shqiptare bashkë edhe me Ylber Ramadanin. Ai ka falënderuar trajnerin Panuçi për besimin e dhënë dhe grumbullimin në skuadër, duke premtuar se gjithë këtë do i’a kthejë me punë dhe përkushtim maksimal në fushë. Aliji gjithashtu foli edhe për lënien jashtë të Agollit dhe mundësinë që pikërisht ai të luajë në krahun e majtë të mbrojtjes.
“E shoh si një mundësi shumë të mirë jo vetëm tani por edhe për vijimësinë në ekipin kombëtar të futbollit. Dua të falenderoj shumë trajnerin Panuçi që në momentin tim më të vështirë kur isha pa skuadër ai vendosi të më grumbullojë. Unë e kuptoj që në të tilla raste nuk është normale të grumbullohet një lojtar pa skuadër, por ai më mbështeti, më dha dorën dhe më ndihmoi. Për këtë dua t’ia kthej në fushë me punë e përkushtim. Ndihem në formë, por për çdo gjë vendos trajneri. Kam një mundësi të tregoj veten si në ekipin kombëtar, ashtu edhe me ekipin tim në Itali, – theksoi vetë Aliji, i cili tashmë që prej janarit të këtij viti është pjesë e skuadrës së Serisë B në Itali, Virtus Entela.