Visar Musliu pritet të jetë një ndër komandantët kryesor të mbrojtjes së përfaqësueses së Maqedonisë në dy përballjet miqësore që “verdhekuqtë” do ti zhvillojnë me 23 mars kundër Finlandës dhe 27 mars kundër Azerbajxhanit, njofton “infOSport.mk”.
Mbrojtësi i Shkëndijës pritet që bashkë me Darko Velkovskin të përbëjnë dyshen e fundit mbrojtëse, ndërsa duke pasur parasysh se ky i fundit është i suspenduar nga klubi i tij aktual, Vardari, dhe po stërvitet me ekipin e dytë, atëherë me plotë të drejtë bara më e madhe në këto dy ndeshje do të bie mbi supet e Visar Musiut, i cili thotë se përkundër faktit që bëhet fjalë për ndeshje miqësore, ai dhe skuadra do të kërkojnë fitore në të dyja përballjet.
“Besojmë në përgatitje të mira dhe më pas të prezantojmë lojra të mira në dy ndeshjet miqësore që na presin. Atmosfera në skuadër është e shkëlqyeshme, dhe kjo me siguri se është një stimul që neve të paraqitemi në nivel të lartë. Do të kisha thënë se në këto ndeshje edhe rezultatet janë me rëndësi, andaj duam fitore në të dyja përballjet” – tha Visar Musliu.
Mbrojtësi nga Gostivari është një ndër dy futbollistët e Shkëndijës që është grumbulluar nga ana e seleksionuesit Igor Angellovski për këto dy ndeshje miqësore. Përveç Musliut, pjesë e “verdhekuqve” është edhe sulmuesi Marjan Radeski, teksa për shkak lëndimit të pësuar në ndeshjen e Kupës kundër Vardarit, Ferhan Hasani edhe pse ishte ftuar nga ana e seleksionuesit të Maqedonisë, ai nuk do të jetë në gjendje për të ndihmuar shokët e skuadrës në përballjet ndaj Finlandës dhe Azerbajxhanit.