Gabriel Batistuta beson se Roma i ka të gjitha mundësitë për të eliminuar Barcelona në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Argjentinasi do të rikthehet në “Olimpico”, për herë të parë në 15 vitet e fundit, nesër kur do të zhvillohet një ndeshje bamirësie mes ish-futbollistëve të kombëtares italiane dhe pjesës tjetër të botës.
“Për mua do të jetë shumë emocionuese të rikthehem në stadiumin ku dola kampion i Italisë”, tha “Batigol”. “Roma ka qenë gjithmonë mes ekipeve më të mira të Italisë dhe më vjen keq që nuk mund të luftojë për titullin, sepse aktualisht Juventus ka diçka më shumë. Gjithsesi mendoj se skuadra e shokut tim Di Francesco mund të kualifikohet ndaj Barcelonës, sepse i ka të gjitha mundësitë për të fituar me cilindo prej shtatë ekipeve të tjera në Champions League”, ka përfunduar ai.