Huan Martin Del Potro sonte arriti diçka që nuk e kishte arritur askush deri më tash në vitin 2018-të në fushat e tenisit, mundi zviceranin Roxher Federer.
Argjentinasi një gjë të tillë bëri në një finale fantastike të zhvilluar në kuadër të turneut, “Indiana Uells”. Del Potro në finalen e madhe me rezultatin 2:1 në sete 6:4, 6:7(8), 7:6(2) mundi zviceranin e pamposhtur gjatë këtij viti, duke arritur kështu deri tek titulli i parë në karrierë në kuadër të Masters turneve.
Që të dy tenistët zhvilluan një super finale, e përmbushur me shumë kthesa dhe emocione. Del Potro shpëtoi tre “match-points” në rrugën drejt suksesit të tij të madh, të cilin e arriti pas 2 orë e 42 minutave lojë.
Në konkurrencë të femrave trofeut iu gëzua japonezja 20-vjeçare, Naomi Osaka, e cila në finale me rezultatin 2:0 në sete 6:3, 6:2 brenda një ore e 13 minuta mundi tenisten ruse, Daria Kasatkina.
Për japonezen Osaka, e cila zë vendin e 44-të në renditje, ishte ky titulli i parë në karrierë.