Skuadra gjermane e Borusia Dortmund është futur në garë me Interin për të siguruar shërbimet e sulmuesit argjentinas, Lautaro Martinez. 20-vjeçari vlerësohet maksimalisht në Argjentinë, teksa Hernan Krespo e ka krahasuar atë me sulmuesin aktual të Mançester Sitit, Serhio Aguero për mënyrën e lojës.
Sipas portalit argjentinas “TyC Sports”, Borusia Dortmund përpiqet të hyjë në lojë dhe do të bëjë një ofertë maksimale për sulmuesin e Racing.
Mësohet se 20-vjeçari ka nënshkruar tashmë një marrëveshje paraprake me Interin, por nuk ka asgjë zyrtare në nivelin e transferimit.
“Transferimi i Lautaro Martinez tek Interi është me 99% punë e kryer. Mungojnë vetëm vizitat mjekësore dhe disa detaje të vogla”, – tha pak ditë më parë agjenti i tij Beto Yaque.
Gjithsesi “zikaltrit” duhet të shpejtojnë për të siguruar shërbimet e sulmuesit 20-vjeçar, pasi përveç gjermanëve të Borusia Dortmund, interes për shërbimet e Martinez kanë shfaqur edhe Roma, Mançester Junajtedi, Fiorentina, Monako dhe Atletiko Madridi.