Agim Ibraimi gjen golin e parë me Domzhalen

Agim Ibraimi ka gjetur golin e tij të parë me fanellën e Domzhales në elitën e futbollit slloven, njofton “infOSport.mk”. Futbollisti tetovarë i cili pas një aventurë jo të mirë në futbollin kazak me skuadrën e Astanas, u rikthye sërish në futbollin slloven, aty ku kishte shkëlqyer me Mariborin vite më parë, mirëpo kësaj here duke vendosur që të veshë fanellën e Domzhales.

Për shkak të një dëmtimi ai mbeti jashtë për disa muaj, ndërsa ndeshjen e tij të partë zyrtare me Domzhalen e kishte zhvilluar me 4 nëntor të vitit të kaluar.

Ibraimi sot në ndeshjen e javës së 24-të shënoi golin e fundit në fitoren 6:1 të Domzhales ndaj Aluminij, ndërsa përveç tij shënoi edhe shqiptari tjetër, Rubin Hebaj. Ky i fundit në lojë u inkuadrua në minutën e 76-të, ndërsa pas 5 minutave të kaluara në fushë shënoi golin e 5-të për Domzhalen, teksa në minutën e 89-të Agim Ibraimi shënoi edhe golin e 6-të.

Përveç kësaj dyshe shqiptare, pjesë e fitores së Domzhales ishte edhe tetovari tjetër, Zeni Husmani, i cili tashmë mban edhe shiritin e kapitenit dhe është një ndër futbollistët më standard te kjo skuadër, që tashmë rrezikon Mariborin në vendin e dytë. Domzhale ka 43 pikë, 5 më pak se Maribori i vendit të dytë, por duhet theksuar se skuadra e futbollistëve shqiptarë ka edhe një ndeshje më pak.

Leave a Reply