SPAL i ka thënë STOP serisë prej 12 fitoreve të njëpasnjëshme të Juventusit në “Serie A”, duke i ndalur kampionët në fuqi në një barazim pa gola në ndeshjen e dytë të së shtunës në kuadër të javës së 29-të, njofton “infOSport.mk”.
Shumë pak persona e prisnin një rezultat të këtillë, ndërsa ky barazim vetëm se i jep mundësinë Napolit që me fitore eventuale ndaj Xhenoas ti afrohet “Zonjës së Vjetër” në vetëm dy pikë.
Juve nuk krijoi asnjë rast më konkret ndaj autsajderëve të SPAL, duke humbur kështu pikët e para gjatë vitit 2018-të, duke pasur parasysh se 12 ndeshje me rradhë shënonte vetëm fitore, ku në 10 ndeshje madje nuk kishte pranuar asnjë gol.
Në anën tjetër SPAL konfirmoi formën e mirë, duke regjistruar edhe ndeshjen e katërt pa humbje në “Serie A”, me ç’rast tashmë ndodhet jashtë zonës së ftohtë. SPAL pas 29 ndeshjeve numëron 25 pikë, duke lënë pas vetes tashmë Krotonen.
Në ndeshjen e parë të së shtunës, Sasuolo surprizoi Udinezen e Valon Behramit në “Friuli” duke shënuar fitore me rezultatin 1:2.