Derbi i madh milanez midis Milanit dhe Interit i parashikuar të luhej pak javë më parë në “San Siro” do të luhet më datë 4 prill në orën 17:30. Mediat italiane raportojnë se ndeshja e javës së 27-të të kampionatit italian mes dy klubeve të qytetit milanez është përcaktuar që të luhet një ditë pas përballjes që Juventus do të zhvillojë ndaj Real Madrid në kuadër të fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Derbi i “Madonnina-s” nuk u luajt për shkak të tragjedisë që ndodhi në Serie A, ku kapiteni i Fiorentinës Davide Astori u gjet i vdekur në dhomën e hotelit, ku skuadra ishte grumbulluar në prag të ndeshjes që do të luante ndaj Udinese.
Përveç këtij derbi u anuluan edhe të gjitha takimet e parashikuara për t’u zhvilluar më datë 4 mars.
Këto ndeshje të prapambetura do të luhen ditën e martë dhe të mërkurë, në të njëjtën kohë kur do të zhvillohen edhe disa nga takimet e Ligës së Kampionëve Europian, me 3 dhe 4 prill.
Por, data për derbin Milan-Inter nuk u përcaktua në kohë pasi po pritej nëse skuadra e trajnerit Gattuso do të kualifikohej në Liga Europa apo jo.
Përveç ndeshjes midis “rossonerëve” dhe “neroaxurrëve”, në të njëjtën datë (4 prill) dhe të njëjtën kohë (17:30) do të zhvillohen edhe ndeshjet Kievo – Ssasuolo dhe Torino – Krotone, teksa Benevento dhe Verona do të luajnë me fillim në ora 16:00.
Një ditë më herët (3 prill) me fillim në ora 17:30 në program janë ndeshjet Atalanta – Sampdoria, Xhenoa – Kaljari dhe Udineze – Fiorentina, ndërsa po të njëjtën ditë me fillim në ora 20:45 Juventusi do të mirëpret Realin e Madridit në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve Europian.
Pjesëmarrja e Juves dhe Romës në Ligën e Kampionëve u bë shkak për ndryshim të orarit edhe të ndeshjeve të javës së 32-të. Juventusi do të mirëpret Sampdorian me 15 prill (e diel) me fillim në ora 18:00, derbi ndeshja e kryeqendrës italiane midis Lacios dhe Romës do të zhvillohet me fillim në ora 20:45, teksa Milani dhe Napoli do të luajnë me fillim në ora 15:00 dhe jo si ishte paraparë më herët që të luhet në terminin e mbrëmjes.
Serie A, Java e 27-të |
E martë, 3 prill 2018 |
Atalanta – Sampdoria (17.30) |
Genoa – Cagliari (17.30) |
Udinese – Fiorentina (17.30) |
E mërkurë, 4 prill 2018 |
Benevento – Verona (16.00) |
Chievo – Sassuolo (17:30) |
Torino – Crotone (17:30) |
Milan – Inter (17:30) |