Shkëndija-Renova, tradita flet për “kuqezinjtë”

Sot në Tetovë do të zhvillohet ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Maqedonisë midis Shkëndijës dhe Renovës, njofton “infOSport.mk”. Ekipi “kuq e zi” ka bilans pozitiv nga përballjet direkte me rivalin lokal Renovën, përballë të cilës nuk njeh disfatë në 10-të përballjet e fundit. Skuadrat numërojnë 36-të ndeshje mes veti në të cilat “kuqezinjtë” kanë shënuar 17-të fitore, 10-të ndeshje janë mbyllur me barazim, ndërsa 9-të herë është gëzuar Renova.

Për herë të fundit rivali ka fituar në prill të vitit 2015-të, ndërsa prej atëherë në duelet me Shkëndijën numëron gjashtë humbje dhe 4 barazime.

Në dy takimet paraprake të këtij sezoni kuqezinjtë ishin bindës, madje në duelin e fundit regjistruan fitoren më të thellë (6:1) në historinë e klubit në Ligën e Parë. Vlen të ceket se Shkëndija dhe Renova deri tani vetëm një herë janë ndeshur në kuadër të Kupës edhe atë në vitin 2005, kur “kuqezinjtë” fituan bindshëm dhe eliminuan rivalin.

Për shkak të ndëshkimit të terrenit, Shkëndija si vendase në Ohër fitoi 4:0, ndërsa takimi i kthimit në Tetovë u luajt pa praninë e publikut (Renova vuante dënim) dhe barazimi 1:1 u mjaftoi kuqezinjëve të avansojnë më tej me rezultat të përgjithshëm 5:1.

Tani vijnë duele të reja të Kupës, në të cilat Shkëndija kërkon finalen e tretë me rradhë dhe të pestën në histori.

Leave a Reply