Shkëndija sot në Tetovë do të zhvillojë derbin lokal ndaj Renovës, me të cilën skuadër në dy ndeshje do të diskutojë për një vend në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
Fati deshi që këto dy skuadra shqiptare të takohen në fazën gjysmëfinale, ashtu që sot Shkëndija në rolin e nikoqirit do të zhvillojë ndeshjen e parë, ku do të kërkojë një rezultat pozitiv, që do ju shërbente atyre edhe për ndeshjen e kthimit që në program është me datë 11 prill.
Megjithatë për këtë ndeshje trajneri Qatip Osmani nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e kapitenit të lënduar Ferhan Hasanin, si dhe Arbin Zejnullain që ende nuk është i gatshëm për lojë. Shkëndija-Renova luhet sot në stadiumin e qytetit në Tetovë dhe starton në orën 14:00.