Goleadori i Totenhamit, Hari Kejn me shumë gjasa do të mungojë për rreth 6 javë nga fushat e futbollit pas dëmtimit të kyçit të këmbës në ndeshjen e së dielës kundër Burnmautit.
Nga klubi londinez ende nuk kanë dalë me informacion zyrtarë lidhur me dëmtimin e sulmuesit të tyre, mirëpo supozohet se dëmtimi ka rezultuar të jetë më serioz. Është kjo hera e tretë që Kejn pëson një dëmtim të njëjtë në 18 muajt e fundit.
Nëse parashikimet dalin të jenë të vërteta, atëherë sulmuesi anglez në fushat e futbollit do të kthehet vetëm në fund të muajit prill, që d.m.th se do të mund të luaj vetëm 2-3 ndeshjet e fundit të Totenhamit gjatë këtij edicioni.
Ky lajm ka frikësuar gjithë Anglinë, pasi me siguri se ky dëmtim do të ndikojë në përgatitjet e Kejn për Botërorin e këtij viti në Rusi që starton me 12 qershor.
Nga Federata e Futbollit Anglez gjatë ditës së djeshme kanë kontaktuar me drejtuesit e Totenhamit, për të mësuar më shumë dhe të sigurohen se “spërsat” nuk do të rrezikojnë me Kejn, të cilin e duan të jetë i gatshëm 100% për në Botërorin e Rusisë.