Ivan Savidis, pronari dhe presidenti i skuadrës greke të PAOK është në të gjitha faqet botërore, pasi në ndeshjen e së dielës të skuadrës së tij kundër AEK-ut të Athinës u fut në fushën e blertë me pistoletë duke u nisur drejt arbitrit kryesor të takimit, i cili kishte anuluar një gol të skuadrës nga Selaniku, njofton “infOSport.mk”.
Tifozët e PAOK-ut presin titullin e kampionit prej më shumë se tre dekada, ndërsa ky klub në duart e Savidis është nga viti 2012-të.
Skuadra e PAOK shënoi gol në minutat shtesë të takimit në derbin ndaj AEK-ut, mirëpo i njëjti ishte anuluar nga ana e arbitrit kryesor të takimit, pas të cilit vendim ndodhi edhe incidenti i rëndë.
Ivan Ignjateviq Savidis është i lindur në vitin 1959 në ish Republikën Sovjetike të Gjeorgjisë. Sipas “Forbes” pasuria e tij peshon plotë 750 milion dollarë dhe është ndër 30 rusët më të pasur.
Siç mund të shihet nga mbiemri i tij, Savidis është grek, mirëpo si shumë grek të tjerë shumë vite më parë, ashtu edhe familjarët e tij kishin ikur nga turqit drejt Rusisë Jugore, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Savidis në moshën e tij 14-vjeçare ishte larguar nga shtëpia dhe kishte emigruar në qytetin jugor të Rusisë, Rostov. Atje kishte mbijetuar duke punuar me duhan, profesion ky që i kishte mbetur që nga rinia. Brenda ditës Savidis kishte bërë cigare për në fabrikë, ndërsa në mbrëmje kishte mësuar për provimet në fakultet. Disa dekada më vonë, ai ishte bërë doktor i shkencave ekonomike, ndërsa për më tepër përpunuesi më i madh rus i duhanit, transmeton “infOSport.mk”.
Fabrika e tij “Donskoj Tabak” në vit prodhon 30 miliard cigare, që i bie se çdo e 10-ta cigare që e pinë rusët janë nga fabrika e Savidis.
Ajo që është me rëndësi, pozitën në të cilën ndodhet pronari i PAOK, nuk është se e ka fituar me forcat e vete, pasi një kontribut të rëndësishëm ka edhe miqësia që Savidis ka me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Presidenti rus është një ndër njerëzit më të fuqishëm në Botë dhe mik i afërt me Savidis, ndërsa greku kishte qenë pjesë e Parlamentit rus në periudhën 2003-2011, si deputet i partisë në pushtet, “Rusia e Vetme”.
Putin është krenar posaçërisht me “Armatën e Kuqe” të ish majorit Savidis, aftësitë e së njëjtës dhe armatimin ushtarak. Atë e din Savidis, ndërsa në shenjë respekti, ai për çdo vit nga fabrika e tij ndanë miliarda cigare për ushtarët që i shërbejnë Rusisë.
Edhe vetë Savidis ka qenë pjesë e ushtrisë ruse, ku kishte arritur të kurorëzohet me gradën e majorit. Ai që nga viti 2012-të është në krye të PAOK-ut, të cilën skuadër e kishte blerë me të gjitha borxhet që kishte pasur. Ai gjithashtu ka disa hotele dhe fabrika në Greqi, ndërsa kohëve të fundit ka filluar të investojë edhe në media.
Të gjitha mediat Botërore dhe Europiane, si dhe opinioni futbollistik dënuan gjestin e numrit një të PAOK-ut, që deri më tani nuk ishte parë në fushat e futbollit, ndërsa shumica kërkuan edhe ndalesë të përjetshme të tij në futboll.