Trajneri i përfaqësueses norvegjeze të futbollit, Lars Lagerbak, ka bërë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet miqësore që do ti zhvillojë ndaj Australisë dhe Shqipërisë që do ti zhvillojë në fund të këtij muaji.
Në mesin e futbollistëve të ftuar bie në sy prezenca e dy emrave të rinj, ai i Kristoffer Ajer, i cili muajve të fundit ka shkëlqyer me petkun e skuadrës së njohur skoceze të Selltikut, si dhe emri i Iver Tobias Fosum të Hanoverit.
“Të dy futbollistët kanë të njëjtën situatë. Ata kanë luajtur vazhdimisht në ekipet e tyre. Ne i kemi ndjekur ato, kanë bërë shumë mirë me ekipet e tyre dhe që të dy janë janë një shembull i mirë se me punë dhe me paraqitje të mira mund të arrijnë qëllimin për të përfaqësuar shtetin e tyre. Të dy kanë bërë një rrugë të gjatë për të qenë kaq të rinj këtu”, – tha Lagerbak.
Pjesë e Norvegjisë në dy ndeshjet e muajit mars do të jetë edhe talenti i Realit të Madridit, Martin Odegard, i cili aktualisht në formë huazimi po luan te Herenveni, ku është shok skuadre me kosovarin, Arbër Zenelin.
Ndeshjen e parë miqësore të muajit mars, Norvegjia do ta zhvillojë me datë 23 kundër Asutralisë si vendas, teksa tre ditë më vonë në “Elbasan Arena” do të përballet me Shqipërinë.