Shkupi vetëm barazim ndaj Sileksit në Kratovë (VIDEO)

Shkupi kthehet vetëm me një pikë nga transferta në Kratovë përballë Sileksit, njofton “infOSport.mk”. 1:1 ishte rezultati përfundimtarë mes dy ish kampionëve të vendit, ndoshta edhe më real, bazuar në rastet e krijuara nga ana e të dyja skuadrave.

Shkupi ishte dukshëm kundërshtarë më i mirë gjatë pjesës së parë, në të cilën u shënuan që të dy golat.

Ishin vendasit e Sileksit, ata të cilët shënuan të parët në këtë ndeshje me anë të brazilianit Antonio Oliveira Zhunior, i cili në minutën e 12-të me kokë arriti që të mposhtë portierin Suat Zendeli.

Pas këtij goli Shkupi ishte skuadra më kërkuese, ndërsa para se të shënonte golin e barazimit, në dy raste u kanos me anë të Rron Brojas dhe Kristijan Stojkoskit, goditjen e të cilit portieri vendas Mitroviç e devijoi në rivënie nga këndi.

Golin e barazimit për Shkupin, që në fund u tregua edhe si i fundit i këtij takimi e realizoi Bazhe Ilijoski, i cili lëshoi një predhë të vërtetë në minutën e 42-të që nuk kishte kundërpërgjigje nga ana e portierit vendas, që në ato momente vetëm me shikim përcolli topin në rrjetën e tij.

Gjatë pjesës së dytë Sileksi ishte skuadra që diktoi tempo dhe që krijoi raste më të rrezikshme para portës së “bardhekaltërve”, madje duke gjetur rrjetën e Zendelit me anë të sulmuesit serb Djordjeviç, mirëpo që i njëjti u anulua për shkak ndërhyrjes së palejuar ndaj Rron Brojës.

Shkupi edhe në pjesën e dytë u kanos me anë të Bazhe Ilijoskit, ndaj të cilit pati edhe një rast diskutabil në minutën e 65-të, që për arbitrin Aleksandar Stavrev nuk kishte të bëjë me penalti, ndërkohë fare në fund pas një gabimi të Bunjamin Shabanit në mbrojtje, shumë pak mungonte që Sileksi të shënonte edhe golin e fitores, mirëpo goditja e Gucev përfundoi mbi portë.

Me këtë barazim FC Shkupi tashmë numëron 29 pikë dhe aktualisht mban pozitën e katërt, teksa Sileksi me 36 pikë mban pozitën e tretë.

Leave a Reply