Transferimi i Antuan Grizmanit te Barcelona dita ditës shihet edhe më afër. Nuk është një marrëveshje e kryer, por operacioni është në rrugën e duhur dhe këtë e vërteton fakti se partnerja e sulmuesit të Atletico Madrid, Erika Choperena, ka qenë në qytetin katalanas për të gjetur një shtëpi.
Erika, sipas TV3, ishte në Barcelonë javën e kaluar përpara ndeshjes së Barça-s me Atletico Madrid. TV3 raporton se ajo ka parë disa shtëpi në zona të ndryshme të qytetit, duke përfshirë edhe Castelldefels, aty ku banojnë Messi dhe Suarez.
Gjithsesi TV3 shton se asnjë shtëpi nuk e bindi Erika-n, kështu që ajo është rikthyer e zhgënjyer në Madrid. Ajo ka qenë në kërkim të një zone më urbane, të ngjashme me vendin ku jeton aktualisht. Familja Grizman do t’i mbarojë të gjitha punët deri në fund të sezonit, në mënyrë që të mos jenë duke kërkuar për shtëpi gjatë Kupës së Botës ose më pas kur të jenë me pushime.