Ndeshja e javës së 23-të midis Sileksit dhe FC Shkupit do të zhvillohet në Kratovë. Kështu ka vendosur komisari i garave pranë FFM-së, Vasko Dojçinovski, i cili si duket nuk e ka marrë parasysh kërkesën e drejtuesve të FC Shkupit, që ndeshjen ndaj Sileksit ta zhvillojnë në një stadium adekuat për ndeshje futbolli të Ligës së Parë dhe jo në një fushë si ajo e Kratovës, që nuk ofron aspak kushte më të mira se ai i fushës së stadiumit të Çairit, njofton “infOSport.mk”.
Siç e dimë po i njëjti komisar i garave ka suspenduar fushën e stadiumit të Çairit, për shkak se kjo e fundit nuk ofron kushte optimale për zhvillim të ndeshjeve kampionale nga Liga e Parë. FC Shkupi dy ndeshjet e para të stinorit pranveror i ka zhvilluar në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari, ndërsa sipas drejtuesve të skuadrës “bardhekaltër” kjo nuk është aspak e drejtë, pasi FFM vazhdon avazin e vjetër, për dikë të jetë “nënë”, e për dikë “njerkë”.
Në vazhdim ju sjellim reagimin e plotë të FC Shkupit, pas refuzimit të ankesës së tyre që kishte të bëjë me mos zhvillimin e ndeshjes së dielës në Kratovë:
“Të nderuar
FC Shkupi reagon ashpër ndaj FFM-s për shkak të refuzimit të ankesës sonë që ndeshja KF Sileksi – FC Shkupi të mos luhet në Kratovë, pasi që fusha nuk përmbush as kushtet minimale që të zhvillohet një ndeshje kampionale në një terren të tillë.
Ky është edhe një rast nga shumë të tjerë, që FFM dhe strukturat e saja tani më sa vite janë duke treguar haptas se për disa ekipe janë “nënë” dhe për ne janë “njerkë”. Ky serial që episodet e saja nuk kanë fund, po dëshmohet edhe sot, pasi që këtu gjithçka po bëhet, por thjesht aspak nuk mendohet për avancimin e futbollit dhe për të drejtat e ekipeve, të cilat në vetë kjo struktura i ka të shkruara në ligjet dhe nenet e tyre.
Edhe pse në rregulloren e FFM-s, qëndron se nëse një stadium nuk përmbush kushtet minimale për zhvillimin pa pengesë të lojës nuk mundë të jetë në funksion, kjo sot u dëshmua se për ekipet që janë nën përkdheljen e FFM-s, nuk vlen.
Të përkujtojmë se sezonin e kaluar pikërisht kjo strukturë e Federatës së Futbollit që po dëshmon se është thjesht e kriminalizuar dhe e dirigjuar nga njerëz që nuk ja duan të mirën futbollit në Maqedoni, sollën vendim në kohë ekspres që në stadiumin e Çairit të zhvillohen ndeshjet (e që po vazhdon edhe e sot kur stadiumi ynë është i gatshëm për ndeshje). Mirëpo ne duke dashur që të jemi të drejtë ndaj të gjitha ekipeve, vendosëm që ndeshjet ti zhvillojmë nëpër fusha tjera, që dorën në zemër aspak nuk i përmbushin kushtet.
Që të jemi më të qartë, ne që në fillim të sezonit kishim kërkuar zgjidhje nga kjo federatë që të na mundësojë së paku ndeshjet ti zhvillojmë në terrenet e saja, duke marrë parasysh se së paku aty janë fushat më të mira, por hasëm në veshë të shurdhër dhe me 100 arsyetime nuk na u mundësua që ndeshjet ti zhvillojmë aty, por duke dëshiruar që si nikoqir të luajmë jashtë Shkupit, që me presion mediatik në fund na u dha e vetmja zgjidhje, që të luajmë në terrenin e lodhur të “Boris Trajkovskit” në Maxhari.
Sigurisht se me vendimin e sotëm të FFM-s, dëshirat e tyre dal ngadalë po realizohen, por vërtet ky është një vendim kriminel dhe tendencioz, andaj ne si FC Shkupi mendojmë se në mënyrë të drejtë dhe sportive do të kërkojmë të vazhdojmë me rezultate të mira dhe punë të palodhshme, gjithçka në etikën e sportit, duke harxhuar investime dhe energji sportive.
Të nderuar zotërinj të FFM-s, i nderuar zotëri kryetari i Komsionit për gara pranë FFM-së, Vasko Dojçinovski, meqë nuk po arrini të jeni të drejtë ndaj të gjithëve, kërkojmë që të jepni dorëheqje të menjëhershme, për faktin se po dëmtoni futbollin në Maqedoni dhe po dëshironi të largoni sponsorët tanë , të cilët me shumë mund po mundohen që të kthejnë skuadrën tonë në mesin e ekipeve më të mira, duke dashur që në mënyrën më të drejtë sportive të ecim drejtë rrugëtimit tonë në Evropë.
Jemi të vetëdijshëm ne dhe e gjithë shoqëria për opstrukcionet që po i bëhen klubit tonë vite me radhë, kemi heshtur edhe kur na është bërë padrejtësi në referim, edhe kur ishim të dënuar që të luajmë jashtë terrenit tonë, edhe kur janë bërë padrejtësi të ndryshme në adresë të klubit tonë, por në asnjë situatë nuk kemi kërkuar nga ju që të jeni “mburojë” për ne, thjesht kemi kërkuar të drejtën dhe vetëm të drejtën nga federata amë, e cila për fat të keq tani më po vërtetohet se për dikë është nënë e për dikë njerk.
Edhe një herë kërkojmë dorëheqje të menjëhershme të kryetari i Komsionit për gara pranë FFM-së, Vasko Dojçinovski, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë është iniciator që ndeshja Sileksi – Shkupi të luhet në një terren që nuk përmbush kushtet minimale për tu zhvilluar në terrenin në Kratovë.”