Renova, skuadra e vetme pa fitore si mysafir

Pas fitores së Skopjes në mesjavë ndaj Sileksit në Kratovë, është vetëm skuadra e Renovës ajo që nuk e ka shijuar fitoren në ndeshjet në transfertë, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra nga Xhepçishti në gjithsej 12 ndeshje të zhvilluara gjatë këtij edicioni si mysafir ka regjistruar 7 barazime dhe 5 disfata. Disfatën më të thellë në transfertë Renova e ka pësuar në ndeshjen në Çair ndaj FC Shkupit (1:4) gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, muaj ky që ishte edhe më i dobëti kur janë në pyetje rezultatet e arritura të kësaj skuadre.

Renova përveç disfatës ndaj FC Shkupit, pësoi edhe tre disfata të tjera, edhe atë ndaj Pelisterit në transfertë 1:2, si dhe ndaj Vardarit (2:5) dhe Shkëndijës (1:6) si vendas.

Muajin nëntor të vitit të kaluar Renova do ta kujtojë për mirë vetëm në kuadër të Kupës, pasi gjatë këtij muaji në dy ndeshjet çerekfinale ndaj Skopjes regjistroi po aq fitore (2:0 në Tetovë dhe 2:1 në Shkup), duke siguruar një vend për në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës.

Ndryshe fitoren e fundit në transfertë Renova e kishte regjistruar në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar, kur në Mogilla të Prilepit kishte mundur Pobedën me rezultatin 0:3.

Ndeshjen e rradhës Renova do ta zhvillojë kundër Pelisterit në Tetovë, ndërsa bazuar në orarin e ndeshjeve si mysafir, është e vështirë të besohet se kjo skuadër do të mund ti gëzohet fitores së parë në transfertë së shpejti, shkruan “infOSport.mk”.

Renova fillimisht në kuadër të javës së 24-të do të jetë mysafir i Vardarit, në javën e 26-të do të takohet me Shkëndijën në Tetovë, ndërkohë në kuadër të javës së 29-të do të jetë mysafir i Sileksit në Kratovë.

Gjithsej të etiketuara

Leave a Reply