Shkëndija në kuadër të javës së 23-të do të luaj si mysafir ndaj Rabotniçkit në Shkup. Pa dyshim se kjo është ndeshja më interesante e kësaj jave, në të cilën Shkëndija kërkon vazhdimësinë e rezultateve pozitive, teksa Rabotniçki nisjen e një serie të rezultateve pozitive, përmes të cilave në fund do të arrinte qëllimin, kualifikimin për në ndeshjet e Liga Europa, njofton “infOSport.mk”.
Për këtë ndeshje trajneri Qatip Osmani nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e kapitenit Ferhan Hasani, i cili u lëndua në ndeshjen ndaj Vardarit në mesjavë në kuadër të Kupës së Maqedonisë. Ky njëherit përbënë edhe lajmin e hidhur për tifozët e Shkëndijës dhe vetë skuadrën “kuq e zi”, që në anën tjetër do të mund të llogarisë në shërbimet e Enis Fazllagiç, i cili rikthehet pas dy ndeshjeve pauzë pas atij kartoni të kuq të marë në ndeshjen ndaj Akademia Pandev. Sa i përket pjesës tjetër të futbollistëve “kuq e zi” të gjithë janë të gatshëm për të dhënë më të mirë, me përjashtim të Arbin Zejnullahut, i cili vazhdon të rikuperohet pas atij lëndimi të pësuar në përgatitjet në Antalia të Turqisë.
Ndeshja ndërmjet Rabotniçkit dhe Shkëndijës në arenën “Filipi i Dytë” starton në ora 14:00.