Pas eliminimit të Paris Sen Zhermenit nga Liga e Kampionëve, Unaj Emeri është më se e sigurtë se në fund të sezonit do të largohet nga skuadra parisiene, e cila që tani ka nisur të mendoj për emrin e ri që do të ulet në bankinën e tyre.
Edhe pse fillimisht përmendeshin disa emra për të marrë drejtimin e skuadrës së njohur franceze, si duket tashmë ai rreth është ngushtuar, madje sipas mediave franceze është më se e sigurtë se postin e trajnerit te PSZH-ja nga sezoni i ardhshëm do ta ushtrojë trajneri aktual i Çelzit, Antonio Konte.
Lajmin e bën të ditur “L’Equipe”, sipas së cilës orëve të fundit përfaqësues të skuadrës parisiene kanë pasur kontaktet e para me vëllanë e trajnerit Antonio Konte, për të vlerësuar disponimin e trajnerit të Çelzit, nëse do të pranonte për të marrë drejtimin e skuadrës franceze, që edhe përkundër investimeve të mëdha të “sheikëve” të kësaj skuadre, nuk po munden dot të bëjnë atë shpërthim në skenën ndërkombëtare.