Mijëra tifozë dhe qytetarë të thjeshtë të Firencës kanë dalë që në orët e para të mëngjesit të sotëm për t’u rreshtuar pranë katedrales së qytetit, ku u zhvillua ceremonia mortore për kapitenin e Fiorentinës, Davide Astori, i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur fundjavën që lamë pas.
Në mesin e atyre që ishin prezent në këtë funeral ishin edhe futbollistët e Juventusit, të cilët pas rikthimit nga Londra, kanë udhëtuar drejt Firences, për të respektuar kolegun e tyre, të cilit shumë prej futbollistëve i kushtuan fitoren e mbrëmshme.
Ky ishte një gjest shumë i veçantë, duke llogaritur urrejtjen e thellë që kanë tifozeritë e këtyre skuadrave, mirëpo në raste të këtilla, gjithçka bie në ujë dhe që të gjithë bëhen bashkë.
Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe shumë futbollistë të skuadrave të tjera të Serisë A, ku binin në sy futbollistëtët e Interit, Milanit e Romës, por edhe disa ish futbollistë, në mesin e të cilëve ishte edhe legjenda e Romës, Françesko Toti si dhe ai i Milanit, Filipo Inzaghi.