Skuadra e Salzburgut falë paraqitjes së shkëlqyeshme të futbollistit kosovar, Valon Berisha sonte në “Sinjal Iduna Park” shënoi fitore të madhe ndaj Borusia Dortmundit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Liga Europa, njofton “infOSport.mk”.
Berisha ishte autorë i të dy golave në fitoren 1:2, ku të tre golat u shënuan gjatë pjesës së dytë. Berisha golin e parë e realizoi në minutën e 49-të nga pika e bardhë, teksa golin e dytë mesfushori i Salzburgut e gjeti në minutën e 56-të, kur lëshoi një goditje të fuqishme nga brendia e zonës.
Shpresat e “milionerëve” në këtë ndeshje i riktheu Andre Shurle me golin e shënuar në minutën e 62-të, mirëpo ishte kjo gjithçka që mundën të bëjnë “milionerët” në këtë ndeshje, pasi deri në mbyllje të takimit rezultati mbeti i pandryshuar.
Me këtë fitore Salzburgu i Berishës shihet si favorit i madh për të kaluar në çerekfinale.