Përkundër milionave të shumtë të shpenzuar në afrimet e futbollistëve të rinj, si Nejmar dhe Mbape që i kushtuan skuadrës rreth 400 milion euro, Paris Sen Zhermeni u eliminua nga gara më prestigjioze europiane, Liga e Kampionëve Europian. Një gjë e këtillë si duket nuk i ka pëlqyer aspak presidentit të parisienëve, Naser Al-Khelaifi, i cili paralajmëroi edhe ndryshime, mirëpo që të njëjtat do të ndodhin vetëm në vazhdim.
“Jemi shumë të zhgënjyer nga ky rezultat. Besonim shumë të kualifikimi. E kemi dominuar pjesën e parë të ndeshjes. Por pasi ata shënuan golin e parë dhe erdhi kartoni i kuq, gjithçka u bë e vështirë. Reali ka eksperiencë në këto nivele. Ne nuk bëmë atë që duhej bërë, është një moment i vështirë. Por nuk do të kritikojmë këtu ekipin tonë. Gjithçka do të ndodhë në dhomat e zhveshjeve. Do të flasim me lojtarët. Nuk ka nevojë të reagojmë sot pasi jemi shumë të nervozuar. Duhet të mendojmë mirë atë që duhet të bëjmë”, deklaroi Al Khelaifi për “BeIN Sport”.
Sipas mediave franceze, hapi i parë që pritet nga klubi është shkarkimi i Unai Emerit, i cili nuk ka bindur aspak drejtuesit e skuadrës dhe nuk arriti objektivin që i ishte vendosur, fitoren e Ligës së Kampioneve.