Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Besart Berisha po kalon një formë shumë të mirë me skuadrën e tij Melburn Viktori në Australi. Berisha arriti që të shënojë sërish me skuadrën e tij, kësaj rradhe në Ligën e Kampionëve të Azisë ndaj skuadrës japoneze të Kavasaki Frontal.
Ndeshja ndërmjet Melburn Viktori dhe Kavasaki Frontal ishte mbyllur me barazimin 2:2, teksa Berisha realizoi golin e parë për skuadrën e tij në minutën e 36-të, kur barazoi shifrat në 1:1.
Golin tjetër për Melburn Viktori në këtë ndeshje e realizoi Xhorxh në minutën e 93-të, kur nga pika e bardhë vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, duke i siguruar një pikë skuadrës së tij.
Ishte ky barazimi i dytë për Melburn Viktori në kuadër të grupit F të Ligës së Kampionëve aziatik, me ç’rast skuadra e Berishës mban pozitën e tretë me dy pikë pas 3 xhirove të para, në të cilat Besart Berisha ka realizuar dy gola.
Berisha është ndër futbollistët më të dalluar te ekipi australian, pasi në 22 ndeshje të kampionatit ka shënuar 9 gola, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë në skuadër.