Vetëm pas një xhiroje të kaluar në stinorin pranveror, te skuadra e Vëllazërimit kanë ndodhur disa ndryshime. Trajneri i deritanishëm i skuadrës kërçovare, Nazmi Ajdni, nën drejtimin e të cilit Vëllazërimi u shpall kampion i dimrit në Ligën e Dytë – Perëndim, kishte ofruar dorëheqjen e tij, e cila ishte pranuar nga ana e drejtuesve të klubit kërçovarë, që shumë shpejtë kishin gjetur çështjen e trajnerit të ri.
Burime të “infOSport.mk” bëjnë me dije së Vëllazërimin deri në mbyllje të sezonit 2017/2018 do ta udhëheq ndihmës seleksionuesi i Maqedonisë, Xhengis Rexhepi, i cili ditë më parë u largua nga skuadra kosovare e KEK-ut.
Përveç këtij ndryshimi drejtuesit e Vëllazërimit në mbledhjen e tyre të jashtëzakonshme të mbajtur gjatë ditës së sotme kishin emëruar edhe sekretarin e ri të përgjithshëm, post këtë të cilin ia kishin besuar Arian Imerit. Ky i fundit ka një CV të pasur sportive dhe në qytetin e Kërçovës njihet si një punëtor i madh dhe që njeh shumë mirë futbollin.
Me këto ndryshime drejtuesit e klubit shpresojnë se kanë bërë punën e duhur dhe se në fund gjithë së bashku do i’a arrijnë qëllimit, që sezonin tjetër me Vëllazërimin të luajnë në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë.