Pas debutimit me gol me Kombëtaren shqiptare, Neziri: Mu plotësua ëndërra e fëmijërisë

Sulmuesi shkupjan i Juventus Serava, Eljesa Neziri, bëri një debutim ëndërrash me fanellën e Kombëtares shqiptare në futsal, njofton “infOSport.mk”. Neziri shënoi një nga golat vendimtarë për “kuqezinjtë” në ndeshjen ndaj përfaqësueses së Kosovës në kuadër të turneut “Adem Jashari” që po mbahet në Prishtinë. Shkupjani i talentuar i futbollit në palestër shënoi golin e parë në vazhdimet dy herë nga 5 minuta, duke ndihmuar Shqipërinë që të avansojë me rezultatin 6:5, që më pas “kuqezinjtë” përmes Endrit Kaçe të sigurojnë kualifikimin për në finalen e së dielës kundër Maqedonisë.

“Jam tepër i lumtur për debutimin tim me fanellën “kuq e zi”, me fanellën të cilën e ëndërron çdo shqiptarë, çdo shkupjan, me fanellën me të cilën mund të them se shumë herë edhe kam fjetur për shkak dashurisë që ndjejë për ngjyrat më të bukura në Botë, ngjyrat “kuq e zi”. Sinqerisht kjo më bënë shumë krenar, ndërsa besoj se me këtë kam arritur të çoj në vend amanetin e të parëve të mi, pasi vërtetë nuk mund të përshkruajë atë kënaqësi që në momentin e parë kur vesha këtë fanellë” – tha enkas për “infOSport.mk” Eljesa Neziri.

Sulmuesi shkupjan pritet që të jetë një forcë shtesë e sulmit “kuq e zi” edhe në ndeshjen e nesërme finale kundër Maqedonisë, fanellën e së cilës përfaqësuese e kishte veshur gjatë vitit të kaluar në dy ndeshjet miqësore kundër Bosnje e Hercegovinës. Megjithatë ajo i takon së kaluarës thotë Neziri, i cili beson se do të jap më të mirën nga vetja, ndërsa dëshira e tij është që edhe nesër të regjistrohet në listën e golashënuesve.

Finalja e madhe midis Shqipërisë dhe Maqedonisë zhvillohet nesër në palestrën “Pallati i Rinisë” në Prishtinë me fillim në ora 17:00, ndërkohë dy orë më herët në program është edhe finalja e vogël për vendin e tretë, ku mejdanin do të ndajnë përfaqësuesja A e Kosovës dhe ajo U21.

Leave a Reply