Levante vazhdon të zhgënjejë tifozët e saj, duke mos shënuar fitore tashmë në 15 ndeshje me rradhë. Në ndeshjen e parë të së dielës në kuadër të javës së 27-të në La Liga, Levante barazoi 1:1 me Espanjollin, skuadër kjo e cila deri te barazimi erdhi vetëm në minutat shtesë të takimit.
Kur të gjithë menduan se Levante më në fund do i gëzohet fitores, ashtu nuk mendoi edhe Baptistao, i cili i siguroi një pikë skuadrës së tij nga kjo transfertë.
Ndryshe golin e epërsisë për Levanten në këtë përballje e realizoi Morales në minutën e 55-të nga pika e bardhë.
Edhe në këtë ndeshje trajneri i Levantes, Munjiz nuk i dha rastin shkupjanit, Enis Bardhi, që nuk ndodhej madje as në mesin e futbollistëve të grumbulluar, teksa Armando Sadiku e zhvilloi vetëm pjesën e parë, kur u zëvendësua në fillimin e pjesës së dytë.
Me këtë barazim Levante mbetet në pozitën e 17-të me 21 pikë, teksa Espanjoll me 32 pikë mban pozitën e 14-të.