Në Kroaci, Inspektoriati i Sportit ka vendosur që të shkarkojë Davor Shukerin nga drejtimi i Federatës Kroate të Futbollit, pasi është zgjedhur në mënyrë të parregullt, me vota të paligjshme.
Legjenda e futbollit kroat u rizgjodh më 22 dhjetor si presidenti i federatës së këtij vendi nga Asambleja, por Inspektoriati i Sportit në Kroaci zbuloi se votues kishin qenë edhe 5 persona të cilët nuk duhej të kishin marrë pjesë në votim dhe si autoritet më i lartë sportiv, cilëson këto zgjedhje të pavlefshme.
Sipas protokollit, rezultojnë si votues edhe Dubravko Galoviç, Stjepan Merkash, Ante Vuçemiloviç-Shimunoviç, Drago Luciç dhe Davor Iviç, të gjithë përfaqësues të shoqatave rajonale të futbollit në Kroaci. Por asnjë prej tyre nuk duhej të kishte votuar pasi ata janë përfaqësuesit e shoqatave përkatëse në Komitetin Ekzekutiv dhe nuk duhej të lejoheshin ta bënin një gjë të tillë, duke vepruar kësisoj kudnër statutit dhe ligjit.
Kësisoj, Inspektoriati i Sportit në Kroaci i cilësoi zgjedhjet e parregullta e si rrjedhojë edhe Shuker të jashtëligjshëm, ndërsa shumë shpejt do të caktojë datën e zgjedhjeve të reja.
Shuker garonte përballë ish-futbollistit të njohur kroat, Dario Simiç, i cili i kontestoi zgjedhjet dhe tani me shumë mundësi do të ketë një avanatzh të ndjeshëm në ato të radhës, pasi u zbuluan manipulimet e presidentit në detyrë që kërkonte rizgjedhjen.