Drejtuesit e Paris Sen Zhermenit kanë dalë me kumtesë zyrtare lidhur me dëmtimin e super yllit të tyre, Nejmar. Nga klubi parisien konfirmuan se reprezentuesi brazilian do ti nënshtrohet një operacioni.
Intervenimi kirurgjik ndaj tij do të kryhet në fund të kësaj jave nga mjeku i “Selesaos”, Rodrigo Lasmar, të cilit do ti ndihmojë mjeku i PSZH-së, Zherar Selen.
Më herët gjatë ditës së sotme Lasmar ishte në Paris, duke i bërë një kontroll më të detajuar brazilianit Nejmar, me ç’rast kishte konstatuar se më e mira për të do të ishte që ti nënshtrohet operacionit. Që të dy menjëherë kishin udhëtuar për në Brazil.
Futbollisti më i pasur në Botë pësoi një ndrydhje të nyjës dhe çarje në ashtin e pestë të këmbës së djathtë në ndeshjen e së dielës në “Ligue 1” kundër Oolimpikut të Marsejës, ashtu që tashmë është zyrtare që ai do ti mungojë PSZH-së nga 6-8 javë.
Kësisoj ai me shumë siguri do të mungojë në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve Europian kundër Realit të Madridit me 6 mars, edhe përkundër faktit se Unaj Emeri shpresonte se nuk do të ketë nevojë për ndonjë operim.