Vardari “bën penallti”, Shkëndija pritet ta shfrytëzojë

Vardari “bëri penalltinë”, Shkëndija pritet ta shfrytëzojë nesër. Kështu mund të përshkruhet situata momentale e dy krerëve të tabelës në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.

Vardari u mund sot nga Rabotniçki me rezultat 2:1 në stadiumin “Filipi i Dytë”, duke i dhënë kështu rast rivalit për titullin e kampionit, Shkëndijës së Tetovës që të rritë në 11 pikë diferencën nga vendi i parë.

“Kuqezinjët” tetovar nesër luajnë ndaj Akademia Pandevit në shtëpi, ndërsa shihen më shumë se favoritë ndaj skuadrës që garon për herë të parë në elitën e futbollit vendor. Aktualisht Shkëndija kryeson tabelën me 8 pikë diferencë nga vendi i dytë Vardari, por nese regjistrojnë fitore ndaj Akademia Pandevit, atëherë të përzgjedhurit e Qatip Osmanit do të fiksojnë plotë 53 pikë kundrejt 42-ve të rivalëve nga Shkupi.

Kështu tetovarët shihen gjithnjë e më shumë afër për të fituar titullin e dytë në histori të Ligës së Parë të Maqedonisë, pasi të parin e kishin fituar në vitin 2012 pikërisht me Qatip Osmanin në krye të stafit teknik./InfOSport.mk

Leave a Reply