Juventus Serava ka mundur pa shumë probleme ekipin e Mal Ajaksit në ndeshjen e javës së 16-të, duke vazhduar në këtë mënyrë me paraqitje shumë të mira gjatë gjysmësezonit të dytë në elitën e futsalit vendor, njofton “infOSport.mk”.
“Bardhezinjtë” nga Serava sot në palestrën “Enver Idrizi” mundën ekipin nga Shtipi me rezultatin 6:2. Ishin pikërisht mysafirët që shënuan të parët në këtë përballje, mirëpo shumë shpejt erdhi kundërpërgjigja nga ana e Berat Ramadanit, i cili barazoi shifrat në 1:1. Eljesa Neziri, reprezentuesi i ardhshëm i Kombëtares shqiptare në futsal, shënoi golin e tij të parë në këtë ndeshje, duke kaluar për herë të parë në epërsi Juventus Seravën përballë Mal Ajaksit, skuadër kjo e cila gjatë pjesës së parë zhvilloi një ndeshje të mirë, ndërsa atë më së miri e konfirmuan edhe me golin e barazimit.
Megjithatë ishte kjo gjithçka që bënën mysafirët në këtë përballje, pasi në vazhdim luante vetëm Juventus Serava, që pjesën e parë e mbylli me epërsi minimale, 3:2, falë golit të shënuar nga Pajtim Rexhepi. Në pjesën e dytë Eljesa Neziri shënoi edhe golin e dytë personal, teksa nga një gol shtuan edhe Reshat Ali dhe Jakup Ramadani.
Me këtë fitore Juventus Serava arriti në kuotën e 18 pikëve, dhe aktualisht renditet në pozitën e 7-të, duke lënë pas vetes Mal Ajaksin me 14 pikë, dhe SEEU që u mund në transfertën ndaj Kratovës.