Futbollisti kumanovar, Taulant Seferi, i cili njëherit mbron edhe ngjyrat e e Kombëtares shpresa të Shqipërisë, të premten ka bërë debutimin e tij me fanellën e skuadrës së Vohlen, te e cila skuadër u transferua ditë më parë në formë huazimi nga rradhët e Jang Bojs, njofton “infOSport.mk”.
Seferi bëri një paraqitje të mirë sot ndaj Rapersvil, ashtu si edhe kapiteni i skuadrës së tij, portieri shqiptarë, Françesko Tahiraj, si dhe kosovari Valter Bekaj, të cilët luajtën që nga minuta e parë për Vohlenin, te e cila skuadër gjatë pjesës së dytë në lojë u inkuadruan edhe 20-vjeçari Lulzim Aliu dhe 22-vjeçari Muhamed Seferi.
Megjithatë në fund Vohleni u mund me rezultatin 1:2 nga skuadra e Rapersvil, për të cilën skuadër luajti edhe një futbollistë tjetër shqiptarë nga Maqedonia, Egzon Shabani, teksa gjithashtu pjesë e fitores së skuadrës mysafire në këtë ndeshje ishte edhe 22-vjeçari Valon Fazliu.
Taulant Seferi me ekipin e Vohlen kërkon që të luajë sa më shumë, pasi në këtë mënyrë do të mund të rikthejë formën e tij të vjetër pas dëmtimit që e la për shumë kohë jashtë fushave të futbollit.