Inter është rikthyer te fitorja, teksa ka mposhtur jo pa vështirësi Beneventon me rezultatin 2-0. Në ‘San Siro’ miqtë ushtruan presing mbytës në 45 minutat e para, duke dominuar Interin, ndërsa tifozët nuk reshtën së vërshëllyeri të besuarit e Spallettit.
Gjithsesi në pjesën e dytë Benevento pagoi lodhjen e të parës dhe lëshoi terren, gjë që u shfrytëzua nga Interi, për t’iu afruar portës. Avantazhi erdhi në minutën e 66’, ku Skriniar dërgoi në rrjetë një top të ardhur nga këndorja dhe zhbllokoi rezultatin.
Interi merr zemër dhe vetëm 3 minuta më pas është Ranocchia, që shënon golin e dytë, sërish me kokë, pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi. Kaq mjaftoi që Benevento të dorëzohej, ndërsa 10 minutat e fundit i luajti me një lojtar më pak, për shkak të kartonit të kuq të Violës.
Një javë para derbit me Milanin, Interi jep shenja jete, teksa golat e munguar të sulmuesve, kompensohen nga qendra e mbrojtjes. Pas kësaj fitoreje, Interi shkon përkohësisht në vendin e 3-të, në pritje që të luajnë edhe Roma e Lazio.