E diela e kësaj fundjave do të jetë e mbushur me ndeshje “derbi” në disa nga ligat kryesore të futbollit europian, ku në qendër të vëmendjes do të jetë Premierliga angleze. Java e 28-të do të sjellë përballjen e flaktë në mes të Hoze Murinjos dhe Antonio Kontes, kur skuadrat e tyre Mançester Junajtedi dhe Çelzi do të përballen të dielën në “Old Traford” me fillim në ora 15:05.
Murinjo dhe Konte kanë pasur një konflikt përmes mediave javëve të fundit, e që pritet të kulmojë ndoshta gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Mirëpo përveç këtij takimi në Angli të dielën do të jemi dëshmitarë edhe të super derbit midis Mançester Sitit dhe Arsenalit, që mes vete do të diskutojnë për trofeun e parë të sezonit aktual, “Carabao Cup”.
Në Spanjë, Barcelona e Reali do të kenë punë më të lehta kundër Gironës, përkatësisht Alavesit, ndeshje këto që në program janë gjatë ditës së sotme, teksa ndeshja kryesore do të jetë ajo e së dielës mes Seviljës dhe Atletiko Madridit (20:45).
Në Seria A, Roma në “Olimpiko” do të mirëpret Milanin e Xhenaro Gatuzos, në Francë, kampionët aktualë të Paris Sen Zhermen në teren vendas do të mirëpresin Olimpikun e Marsejës, teksa nga ndeshjet e së dielës që zgjojnë interes do të jetë edhe ajo midis Bajer Leverkusenit dhe Shalke 04 në Bundesligë.